Quantcast
Channel: Albert Habazaj – Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 109

SHQIPTARËT DHE ITALIANËT NË 100 VJET PAVARËSI KOMBËTARE: LUFTA E VLORËS

$
0
0

NGA ALBERT HABAZAJ, studiues*/

PËRMBLEDHJE: Kumtesa prezanton diçka të veçantë: raportin histori-epikë historike për këtë ngjarje, nën një këndvështrim tre planësh: Paranjëzeta, Njëzeta, Pasnjëzeta me fokusin: e kaluara, e tashmja, e ardhmja.
Për Luftën e Njëzetës, siç e quan populli, kanë shkruar shumë studiues e historianë dhe ajo, si ngjarje, e ka zënë vendin e duhur në historinë kombëtare. Po ashtu, memoria kolektive e ciklit të këngëve të Luftës së Njëzetës, vendosur në hapësirë dhe në kohë, me përmbledhjet dhe
botimet e zgjedhura, serioze e të përgatitura me objektivitet nga folkloristë dhe studiues të kësaj epike historike, përbëjnë një nga ciklet më të plotë, “më të bukurit, shumë i larmishëm, me një intensitet të madh ngjarjesh, tablosh,figurash, që sjellin informacione aq të gjera saqë në një farë mënyre të duket sikur të vjen para syve” 24) kronika reale e kësaj ngjarje të rëndësishme

historike si pasqyrim artistik i saj. E parë veç nga historia dhe folkloristika Lufta e Vlorës është një temë e rrahur, ndërsa në vështrim krahasues trajtesa mund të ravijëzohet me interes dhe origjinalitet.

Duke e operuar e ngushtuar temën e përgjithshme, gjykojmë të bëjmë një prerje shumë specifike të hedhim sadopak fasha drite për shqiptarët dhe italianët në Luftën e Vlorës, parë me diapason koherent.

Fjalë çelës: Histori, folklor, Lufta e Vlorës, shqiptarët, italianët

 

1. HYRJE

 

Historia, mbështetur në fakte historike, dëshmuar me dokumente etj., e ka trajtuar edhe botën, jetën e realitetin e dy vendeve fqinje, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

Edhe epika historike e ka bërë pasqyrimin e drejtpërdrejtë të realiteteve, por në mënyrë artistike, se tipar kryesor ka pasqyrimin e ndërgjegjes historike.

Epika historike marrëdhëniet Itali-Shqipëri i jep me lule e furtunë, herë të ngrohura nga dielli i përbashkët mesdhetar, që u jep dritë dy fqinjëve adriatikas e herë operon me akullsinë malore e ashpërsinë e mprehtë deri të egër alpine, të cilën kanë edhe malësitë përkatëse (shprehur kjo gjendje jo thjesht metaforikisht). Historianë si A. Buda, K. Frashëri, M. Çami, M. Verli etj., apo folkloristë si Z. Sako, Q.Haxhihasani, A. Xhagolli, M. Dibra etj., me shestimet e dukshme mbi këtë epope shqiptarësh kanë dhënë kontribute bazale për marrëdhëniet Shqipëri-Itali, sipas hullive përkatëse shkencore.

 

2. Panoramë historike dhe mozaik etnokulturor

 

Pa u ndalur në epokën e Skënderbeut, kur Shqiponja e Arbrit, legjenda shqiptare u bë barrikadë e pakalueshme për pushtimet osmane drejt fqinjëve dhe vendeve të tjera të Europës, dëshirojmë të evidentojmë një fakt (edhe në funksion të lokalizimit të kumtesës) Në rrethin e Vlorës është një fshat me emrin Kuç, nga më të dëgjuarit e më popullorët jo vetëm në Shqipëri. “Më 1614, kur Kuçi ishte zemra e Bashkimit të Maleve Shqiptare, u mblodh kuvendi i Kuçit, i pari ndër kuvendet ballkanike me përfaqësues të shumtë nga Shqipëria dhe nga vendet fqinje” 2), ku u përpunua një projekt për zhvillimin e luftës çlirimtare me përmasa ballkanike kundër Osmanëve.

Kapedanët dhe krerët besëlidhur të lëvizjeve kryengritëse ngarkuan Pjetër Budin që të çonte në Perëndim fjalën e tyre, me qëllim të bashkërendonin luftën çlirimtare të popujve të Ballkanit me veprimet luftarake të koalicionit të shteteve europiane.

Mërgimet, sipas MarkTirtës, ngulimet, zhvendosja, shpërngulja shqiptare kanë të bëjnë me disa fenomene ballkanike, mesdhetare dhe europiane dhe kanë karakter social, ekonomik, politik dhe historik. Mërgimet e afërta të përhershme në Itali kanë filluar qysh me ilirët,në mesjetë e në vijim. Vetëm në shek.XV, të detyruar nga osmanët, thuhet se ikën në Itali 200.000 shqiptarë, që përbëjnë koloni apo ngulime të vjetra shqiptare, jo vetëm në Kalabri. “Edhe S. Frashëri na thotë se në Itali më 1888 jetojnë më tepër se 200.000 shqiptarë-arbëreshë. Puleze na jep shifrën

50.000, ndërsa arbëreshët vetë japin shifrën 200.000 në fillim të shekullit XX” 21). Në kohët e sotme të pas viteve ’90-të, Italia ka absolutisht më shumë se 500.000 shqiptarë, të cilët iu drejtuan brigjeve perëndimore, me bulëzimin e demokracisë edhe nga pasiguria në vend edhe për një ekonomi më të mirë, nën sloganin e famshëm të kohës:”E duam Shqipërinë si Europa!” Ata, me kullimin e ujërave të turbullta të psikologjisë së turmës, tashmë, pothuaj janë integruar me qytetërimin perëndimor, duke fituar statusin e komuniteteve të para shqiptare  të europianizuara qytetarisht, duke ruajtur e aplikuar traditat më të mira shqiptare, trashëguar nga të parët tanë. Na duket me vend të veçojmë se emigrantët shqiptarë bënë Shqipërinë në kohë të ndryshme historike (me librat, alfabetin, teknikat, përvojën e drejtimit, me projektet në shërbim të Atdheut).

Lëvizjet shqiptare Lindje-Perëndim krijojnë marrëdhënie kulture, mjetesh, jetese, se japin e marrin nga njëri-tjetri. Lufërat janë pushtime dhe, sikurse kryqëzatat në Mesjetë ishin negative, pushtimi është rrëmbim i lirisë dhe pavarësisë së më të dobëtit nga më i forti, zënie me forcë e vendit të atij që takon, agresion në  tokën e pronën e të drejtit nga i padrejti. Ndërkohë pushtimet bëjnë të zhvillohet tregtia. Kontaktet kulturore bien zhvillim, sepse,me hir apo me pahir, krijohen marrëdhënie, marrin e japin palët nga njeri-tjetri, aq më tepër, kur antropologjikisht kanë të përbashkëta “tiparet adriatike”22)

 

3. Raporti histori- folklor në rrafshin emarrëdhënieve Itali-Shqipëri

 

Sipas parimit metodologjik të historizmit, bazuar në burimet dokumentare dhe dëshmitë faktike të shkruara, Lufta e Parë Botërore (1914-1918), e studiuar dhe e vlerësuar në zhvillimin e saj historik, që pati fitues Fuqitë Aleate të Antantës [Angli, Francë, Rusi, Japoni, Serbi me të cilat u rreshtua dhe Italia(1915),Portualia e Rumania (1916) si dhe Greqia e SHBA (1917), e cilësuar si fuqi shoqe] kundër grupit të Aleancës të Fuqive Qendrore [Gjermani, perandoria  Austro-Hungareze, Turqia Osmane dhe Bullgaria (nga viti 1915)] u shndërrua (për rastin që shqyrtojmë) në prologun e shpërthimit të Luftës së Vlorës më 1920. Sidomos trazirat nacionaliste në Ballkan dhe ndryshimi i grupimeve diplomatike krijuan gjendjen e nderë në Europë dhe situatën e frikës nga “ambiciet koloniale të Gjermanisë” 18), të cilat u bënë shkrepsja që ndezën benzinën e Luftës I Botërore. Edhe pse  në këtë luftë shteti shqiptar mbajti asnjanësisnë, përveç pasojave politike dhe ekonomike për vendin, u vu në rrezik ekzistenca e shtetit të brishtë kombëtar shqiptar.

Shqipërinë e pushtuan forcat e armatosura të shteteve ndërluftuese, duke e shndërruar atë në shesh lufte. “Greqia pushtoi Shqipërinë e Jugut (Korçën dhe Gjirokastrën) më tetor 1914; po në tetor Italia u vendos në Sazan, ndërsa dhjetori e zuri Vlorën e Flamurit të pushtuar; në qershor 1915 Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme, ndërsa Mali i Zi u shtri në Shqipërinë e Veriut” 3). Prilli famëkeq i 1915-ës, meTraktatin e Fshehtë të Londrës, nënshkruar midis Italisë dhe Fuqive të Mëdha e ndau Shqipërinë për katër fqinjët. Ja si morën ngjarjet nëpër rrjedhat e kohës: nga faktor pozitiv,mburojë ballkanike dhe europiane, të babëziturit mosmirënjohës, xhelozë e ziliqarë iu sulën Shqipërisë për ta ndarë në katër hise, sikur të ishte lopë për t’u therur. Mbaroi Lufta e Parë Botërore dhe ushtria italiane nuk do të largohet nga Vlora. Por ”kishin pjellë ato nëna/ kishin pjellë e bërë drëra” 19) se dhe “trimi i mirë me shokë shumë” siç thotë populli,se ”trimëria e kthen plumbin mprapsht”… “e të merr gjak në vetull ” e se “trimi luen pushkën, toka ban bukën” 1). Duke operuar me ndërgjegjen poetike, epika historike, se nuk është thjesht fotokopjim i realitetit historik, edhe pse na jep ngjarje, personazhe, vende konkrete, të natyrës historike, duke realizuar përcaktimin e tyre në kohë dhe hapësirë konkrete dhe të qartë, si pasqyrim i realitetit të identifikuar historikisht, vjen si vështrim i syrit të shpirtit popullor. Ajo që atij i pëlqen apo i lë mbresa (pozitive a negative) gdhendet të ruhet në kujtesën sociale nëpërmjet këngës së improvizuar në moment. Parë si raport i “faktit historik me artin folklorik, si krijim i veçantë artistik i natyrës sinkretike” 8), epika historike na i sjell marrëdhëniet Shqipëri-Itali në këtë trajtë: “Ra një yll në mes të detit, / Isharet për  Shqipërinë:/Të tërë kralet u ngrinë,/ Veç Frëngu me Italinë./ Na u ngul’ e s’na u shkinë!/ Italija shi ’ ç’na thotë:/ “Do ta mbajte Shqipërinë,/ Do ta bëj, t’i vë kurorë!”/ Ndrit,o yll, ndrit o hënë,/ Ndrina në vatanin tënë!” 23). Është kjo këngë për periudhën pararendëse të Luftës së Vlorës, ndërtuar me bosht vertikal e me besim në fuqinë e shpirtit atdhetar të shqiptarëve. Pas mbarimit të Luftës I Botërore (1918) ushtria frënge vazhdonte të mbante të pushtuar Korçën, ndërsa imperialistët italianë, që  e

kishin pushtuar Vlorën që më dhjetor1914, u përpoqën të shtroheshin përgjithmonë në Shqipëri, por populli ynë ua përmbysi planet me luftën e tij heroike të 1920-ës. Sa qartë e kthjellët e shpreh kënga këtë situatë:”Sup më sup kur rrinë shqiptarët/ Formohet vargmal kështjelle,/ Flet një komb mijravjeçarësh:/ Moj Evropë, që na preve!” . Ende e ndjejnë shqiptarët dhimbjen e gjymtimit.

Lufta e Vlorës është vlerësuar si pavarësia konkrete e Shqipërisë, sepse ishte pikërisht kjo ndeshje e armatosur ndërmjet dy forcave kundërshtare: pushtuesve italianë, që erdhën me uniformë militare, të armatosur e jo me çanta pikniku, veshje turistike apo me lule dhe pavarësimbrojtësve e lirikërkuesve shqiptarë, që shtëpinë e tyre mbronin dhe nuk sulmonin tjetrin.

Lufta e shqiptarëve qe e drejtë. Lufta e italianëve qe e padrejtë. Nuk erdhën si miq,se kush s’i ftoi, as ndihmë kush nuk u kërkoi. Thotë një proverb: “kush vjen paftuar, e gjen pashtruar” ; ndërsa në Labëri përdoret edhe shprehja e moçme:”Ne mikut i themi hajde, po zot shtëpie s’e bëjmë!”

Me Luftën e Vlorës është marrë shumë historiografia shqiptare dhe ajo e huaj, veçanërisht ajo italiane. Nisi pas fitoreve të mëdha politike të arritura brenda vendit me Kongresin e Lushnjës dhe pasi kishin dështuar të gjitha përpjekjet e palës shqiptare për ta zgjidhur çëshjen e Vlorës me mjete politike. Vendimi për fillimin e luftës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës (ku bënin pjesë edhe Tepelena e Himara) të mbledhur në kuvendin e Barçallasë më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës komitetin ”Mbrojtja Kombëtare” me 12 apostuj të shqiptarizmës dhe kryetar Osman Haxhiun. Organizimi në rrafsh kombëtar u bë nga komitetet e ”Mbrojtjes Kombëtare” të krahinave të ndryshme të vendit, si dhe nga qeveria e Tiranës me patriotin Sulejman Delvina, e cila e dha ndihmesën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht. Është  kthyer në legjendë ultimatumi-vetëtimë i 3 qershorit, që udhëheqja e luftës, me sorkadhin Mehmet Selimi i dorëzoi gjeneral Settimio Piaçentinit. Dihet se Lufta e armatosur e Vlorës zgjati dy muaj. Ajo nisi më 5 qershor 1920 dhe mbaroi më 2 gusht me nënshkrimin e Protokollit që u dha fund armiqësive. U zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që  kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Sipas historisë, “trupat italianë në Shqipëri në qershor llogariteshin afër 20 mijë veta” 6), ndërsa në korrik garnizoni italian i Vlorës përbëhej nga 7000-7500 forca këmbësorie, të pajisura me mjete të blinduara, të mbështetura nga aeroplanë e anije të marinës luftarake. Sipas epikës historike: “Shqipëtarët po lëftojnë/ me një mbret 40 miljonë”, sepse kënga zmadhon, hiperbolizon e ndërtohet me parimin e zbukurimit, sepse kështu folklori respekton disa ”ligje” të pashkruara, si krijimtari artistike specifike shpirtërore e komuniteteve të caktuara, si lloj i veçantë artistik” 25) Si kohë lufta është bërë pothuaj në tre muajt e stinës së verës, pra me mot të ngrohtë. Si hapërsë gjeografike u bë teatër luftarak krahina e Vlorës me trevat e Labërisë, Himarës, Sarandës, me rrethina e qytet. Më 3 shtator forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorëës, të zbrazur nga trupat pushtuese, sepse qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. Fitorja e Vlorës bëri bujë në rajon e kontinent dhe krijoi kushte të favorshme për të përballuar agresionin e armatosur jugosllav në Koplik, në fund të korrikut 1920 dhe për të filluar në gusht 1920 Luftën e Dibrës kundër reparteve serbe. “Faktorët e fitores kanë qenë politikë dhe ushtarakë, të brendshëm dhe të jashtëm”11). Edhe në Itali vëreheshin dy qëndrime të kundërta, të cilat u pasqyruan dhe në shtypin e kohës: njëri reaksionar, tjetri përparimtar. Lëvizja revolucionare në Itali ishte kundër luftës në Vlorë. U ndezën jo vetëm sheshet e Romës nga thirrjet: ”Jashtë duart nga Shqipëria!…Jashtë Vlorës”12), sepse ”shqiptari nuk e urren Italinë, porse urrente politikën antishqiptare të rretheve drejtuese të saj, të cilët stigmatizoheshin nga vetë populli italian për ndjekjen e një politike aq brutale sa kishte çuar në luftë të armatosur” 13)  aq sa ushtarët italianë, djem të atij populli, me të cilin na ndan e na bashkon deti i halleve dhe gëzimeve të dëshpëruar e të pamotivuar kërkonin ”të kthehemi në shtëpinë tonë, t’ua lemë Shqipërinë shqiptarëve” 14). Jo vetëm se karakteri shqiptar dallon për rezistencë tepër këmbëngulëse, shtypi italian i kohës shkruan: ”As Italia, as ndonjë vend tjetër i huaj nuk mund të pretendojë të drejtën e ngulitjes në atë tokë me të vërtetë martire”.15)

Cilki i këngëve të Njëzetës ka improvizime befasuese, ku duket pasqyrimi i atypëratyshëm apo menjëherë pas luftës me tërë ekipin njerëzor e natyror të realizimit. Kriteri kronologjik është bazë e epikës historike të Luftës së Vlorës dhe mendojmë se kemi gjetur dhe arketipin e këtij cikli. Të thënat e pleqve, që kanë ikur, na janë fiksuar në memorie, ndërsa edhe është shkruar se luftëtari dhe krijuesi popullor Nase Beni nga Vunoi i Himarës (1888-1921) është, në mos i pari, nga të parët që thuri këngë në front, te Vreshtat e Mëdha e gjëmoi Kanina nga zëri si bilbil dhe dyfeku me gjalmë i Nases:”O breshk’ e ndyr’  e moçalit, / S’qëndron dot në gur të thatë,/ Se këtu këndon birbili,/ Që e ka zërin të lartë…” Të gjithë e kemi dëgjuar këngën e bukur plot atdhedashuri të Thanas Benit: “Evropa shkruan e thonë”, e cila negriti peshë shqiptarët kundër pushtuesit italian: ”…ç’janë këto që dëgjojmë?/ Shqipëtarët po luftojnë,/ Me një mbret dyzet mijonë…” 20)

Nga të parët mbetet në kujtesë kjo thënie e veçantë: ”Në Labëri burrat historinë e tregojnë duke kënduar”.

Ka shumë këngë për Luftën e Vlorës, ka aq shumë informacion, sa që na  duket se ke të bësh me një ndjekje të të gjitha rrjedhave të luftës në mënyrë shumë rigoroze… ndjehet e pranishme përplasja midis luftëtarëve të popullit shqiptar dhe pushtuesve italianë. Dhe kënga pohon se të dyja palët janë të pabarabarta në dy aspekte: për nga armatimet, duke qenë italianët shumë superiorë; dhe për nga morali, vendosmëria, qëllimi,nuk diskutohet përparësia e shqiptarëve, që i kanë armët e tyre më të forta:”Po me se lëftojnë vallë?/ Me sëpata, me hanxharë,/ Dufekët lidhur me gjalmë,/ Fyshekët në xhep i mbajnë,/  në tri ditë bukë hanë”.  Parimi estetik i zbukurimit, është limfa e kësaj epike historike edhe kur në këto këngë me karakter sinkretik përdoret satirizimi i gjendjes pa rrugëdalje, në të cilën ndodhen trupat pushtues, si dhe ndihmësit dhe përkrahësit e tyre vendas: “Italianët:-Mama mia!”/ e mbajtën vrapin në det”. Kënga popullore

historike sjell edhe fundin, shpall me zë të lartë realizimin e qëllimit për të cilin u ngritën me armë në dorë shqiptarët: “Shqipëria male, gropa,/ Italin’ e bëri copa”.

Në Vlorë, edhe sot e kësaj dite, kujtohet me respekt një i huaj, një bir nëne italiane, qytetar i botës e i njerëzimit, i cili erdhi si pushtues, por u rreshtua në radhët e forcave shqiptare që luftonin për çlirimin. Bëhet fjalë për Xhovani Valenca (Giovanni Valenza), të cilin Halim Xhelo, për ndërgjegjen altruiste, me ndjenja njerëzore e quan ”Një dëshmor i pandjerë”.Ai qe një nënoficer italian që u hodh në anën e kryengritësve shqiptarë, duke u dorëzuar këtyre depo municionesh. ”Pas dëbimit të ushtrisë italiane nga vendi ynë qëndroi  në Vlorë ku solli edhe familjen e vet. Rrethet estremiste dhe agresive italiane e cilësuan si ”tradhëtar” dhe organizuan vrasjen e tij në Vlorë” 5) në Skelë më1927-ën. Shteti shqiptar i akordoi familjes pension mbijetese.

 

4. Shenja europianizimi dhe Epika Historike e Luftës së Vlorës për Europën

 

Para Njëzetës, qysh me Rilindjen Kombëtare ndërtohet Ura e Miqësisë midis kulturave europiane e adriatike të apeninëve  me ballkanasit perëndimorë, me kampion Qiririn e Gjallë të Motit të Madh ndër shqiptarë, arbëreshin De Rada, që e nderoi në një trajtë tjetër dhe Valencio më njëzetën, ndërsa pas njëzetës një  klerik italian i Urdhërit të Jezuitëve me përmasa dinjitoze për albanologjinë shfaqet me diturinë e tij për të mirë të Shqipërisë. Është At Zef Valentini  (Joseph) (1900-1975) që tha:”Shqipëria është perëndimore”.4)Më vitin 1970 Instituti i Folklorit botoi 108 këngë popullore për Luftën çlirimtare të Vlorës, që janë pasuri me vlerë e thesarit artistik të periudhës  së viteve ’20-’30 të shekullit XX, “me të cilat pasqyrohet, me një ndjenjë të zjarrtë dhe me art të goditur, fryma atdhetare e shqiptarëve, vendosmëria e tyre për të çliruar Atdheun, si dhe demaskohet tradhëtia e disa krerëve, të cilët , për të ruajtur interesat dhe privilegjet e tyre, u bashkuan me pushtuesit italianë.

Këngët historike lartësojnë bëmat e luftëtarëve popullorë, si Selam Musai,Kanan Maze, Sali Murati, Kanan Maze,Zigur Lelo, Sado Koshena, Toto Hosi dhe dhjetëra trima të tjerë të shquar në këtë luftë”.7)

Është një fakt interesant që vërehet  në një nga librat e parë me titull ”Këngë popullore historike”, botimi i ish-Institutit të Shkencave, Tiranë, 1956,ku  janë botuar dhe 43 këngë të Luftës së Vlorës.  Ja si këndohej që para 92 vjetësh në zjarrin e luftës: “Ki Adriatiku ndjerë,/ Pse s’bën valë këtë herë,/ Valë , dallgë dhe fortunë?” apo “Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor-o/ Skel’ e parë në Evropë!”  E shpreh qartë dëshirën populli, ku kërkon të radhitet:në Europë thotë,, jo në Azi a diku tjetër. Më tej: “Obobo, seç qënkej Kota,/ më e bukur nga Evropa!”. Përsëri me Europën e krahason vendin etij jo me Afrikën a ndonjë tjetër. Vargje nga Epika Historike e Luftës së Vlorës janë trageti që qarkullon brigjeve adriatike, qël idhin jo thjesht Vlorën me Brindizin a Otranton, por Shqipërinë me Italinë e me Europën. Janë më shumë se dëshmi folkorike vargjet: “Evropa shkruajn’ e thonë…”,  jo Azia apo Afrika që flet për tendencën eurpiane të shqiptarëve, por jo si vasalë të të mëdhenjve, jo si skllevër kolonizatorësh, atyre që vuajnë nga kompeksi i madhështisë, por si të barabartë- me detyrimet e të drejtat përkatëse të njeriut, si europian me identietin e traditat etnokulturore më të mira,trashëguar nga të parët, të harmonizuara me vlerat qytetare të komunitetit europian. Nuk i përbuz shqiptari afrikanët, aziatikët etj., përkundrazi i respekton qytetërimet e tyre, por ai e ndjen veten europian, është europian, veçse ende i paregjistruar në Gjendjen Civile të Europës…

 

5. PËRFUNDIME E REKOMANDIME

 

Në këtë trajtesë u munduam të paraqesim Luftën e Vlorës në dy plane: nëpërmjet memories historike dhe nëpërmjet memories folklorike, ku në fokus synuam marrëdhëniet shqiptaro-italiane, përgjatë rrjedhave të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare.

Historia e përgjithshme nuk merret me jetëshkrimin luftarak të heronjve që kryen akte e bënë ngjarje. Këtë e gjejmë te historitë lokale, te monografitë e botuara nga autorë të njohur, por edhe amatorë, kështu që duhen marrë me rezerva informacionet e tyre, se kërkohen së paku tre burime informazioni për të njëjtën ngjarje, për të njëjtin personazh historik. Kënga jep gjeografinë e Luftës së Vlorës, jep galerinë e personazheve, stilin e gjykimit, mendimit e veprimit, moralin, psikologjinë e kohës dhe tendecat siç i ndjen, prandaj çdo informacion shikohet në konteks.

Lufta e Vlorës, mbas 92 vjetësh në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare ngjall opinione të ndryshme. Mendimi i sotëm është se çështja e Vlorës anon më tepër si zgjidhje iplomatike.Dihet që pushtimet shkatërrojnë, ndërtojnë e krijojnë, por kolonizatorët nuk janë turistë. Ajo që ka ndodhur nuk kthehet prapa, edhe pse perspektiva shqiptare është drejt perëndimit dhe Italia sot

përbën një faktor pozitiv dhe të fortë për integrimin në BE, aq më tepër që Shqipëria është e orientuar drejt euroatlantizmit, me kursin europian, sidomos në marrëdhëniet me fqinjët e në rajon.

Lufta e Vlorës e realizoi rolin e duhur në shërbim të çështjes kombëtare, sepse edhe më njëzetën shqiptarët ishin në të drejtën e tyre, se thotë dhe një fjalë e vjetër:”Njeriu në të drejtën e tij nuk humbet”. Vullnetarët e Njëzetës e realizuan më së miri rolin e shërbyesit të çështjes kombëtare, sepse LV mori përmasat kombëtare dhe pati rrjedhoja positive në arenën ndërkombëtare.

Për vërtetësinë e ngjarjes që rrëfen kënga dëshmon dhe historia e shkruan.

Poezia epike e Njëzetës sot është në arkiv, nuk qarkullon, sepse është folklor pasiv që e ka kryer misionin në kohën e duhur, kur është aplikuar. Ndërkohë as italianët e sotëm nuk duhet të vuajnë nga komplekset e humbjeve të ’20-ës,as të ’39-ës, sepse nuk kanë faj italianët e sotëm për ç’ka ndodhur më Njëzetën…

Fryn një erë e ngrohtë mesdhetare ”që të bashkëekzistojnë në Europën e ardhme botë të ndryshme kulturore” 8), ndërkohë që qarkullon dhe mendimi ” Vlera dhe merita e qenieve njerëzore nuk qëndron në atë çka të gjithë e kanë të përbashkët, por në atë çka i dallon komunitetet e ndryshme nga njeri-tjetri. Pikërisht kjo specifikë dhe ky diversitet kulturor janë të

rëndësishëm” 17).

Shqipëria me hipotekë është e shqiptarëve, se është gjaku i të parëve, që e ka vulosur këtë truall, janë eshtrat, emrat e shenjtë, “stërgjyshët ku kanë qënë/ dhe varret q’i kanë vënë”10).

Sot jetojmë në kohë të re, historinë nuk e harrojmë, por e mira e zhvillimit, e mirëqenies është të jemi pjesë e komunitetit perëndimor, se na takon, por duhet ta meritojmë. Ka akoma turbullira rruga jonë e po na gjen si breshka që e nxjerr në asfalt, ajo prapë futet në pyll, në ferrë. As edhe gjaku i 400 dëshmorëve të Luftës së Vlorës nuk u derdh që të ketë akoma grupe, komunitete tribale, por që të përjetësohej Pavarësia e shtetit shqiptar, të shenjtërohej Flamuri kombëtar, të bëhej dhe Shqipëria ”lule në mes shoqeve”, sepse jemi mesdhetarë dhe “Mesdheu është një bashkësi rrugësh detare dhe tokësore, të lidhura së bashku për të na çuar kështu drejt qyteteve. Rrugë e përsëri rrugë, domethënë një sistem i tërë qarkullimi” 9) kulturash, se Mesdheu është një hapësirë lëvizjeje, ku ta ka ënda të shohësh dekorin e martesës së detit me diellin, në një pafundësi peizazhesh, në një vazhdimësi detesh, me qytetërime të ngjeshura pas njëri-tjetrit.

Meqenëse “me fitoren e luftës së Vlorës populli shqiptar shpëtoi vendin nga një fund tepër tragjik, shmangu një copëtim të tretë të trojeve shqiptare, për këtë  vepër madhore me kaq rëndësi ai ka të drejtë të krenohet” 16). Sot vetëm kaq është pak. Të parëve atë detyrë u kërkoi koha e rrethanat dhe ata e kryen në mënyrë perfekte. Kohae sotme kërkon të tjera gjëra, në tjetër

atmosferë të brendshme dhe të jashme. Ora po troket për shqiptarët dhe për paqen, mirëkuptimin e përparimin rajonal. Për rastin me fqinjin adriatikas mendojmë se raporti midis ngjarjes historike dhe trajtimit artistik, dallimi midis historisë dhe EHLV, se EH i nënshrohet analizës artistike, ndërsa historia analizës shkencore, sipas kriterit kronologjik me vërtetësi e koherencë,

sidomos për mozaikun e marrëdhënieve me italianët është një temë grishëse interesante për t’u parë më në thellësi në kohën vijuese, për ta mbajtur hapur dorën e miqësisë me dinjitet përpara mikut të vërtetë.

 

BIBLIOGRAFI

 

AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalë të urta të popullit shqipar. Tiranë, 1983, f.99-nr.1018; f.100-nr.1047; f.99-nr.1030

AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.2: f.1436

AKADEMIA e Shkencave e RSH: vep. e cit. f.1551

AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.3: f.2845

Po aty, f.388

AKADEMIA e Shkencave e RSH: Halim Xhelo militant e ideolog i shquar. Tiranë, 1975, f.120-123

AKADEMIA e Shkencave e RSH: Historia e popullit shqiptar, Tiranë: Botimet Toena, 2007, V. III, f.157

ALTERMATT, Urs: Etnonacionalizmi në Europë. Tiranë:Phoenix, botimet IDK, 2002, f.241

BRAUDEL, Fernand: Mesdheu- hapësira, historia, njerëit dhe traditat. Tiranë: Botimet IDK, f.46, 108

10. ÇAJUPI, Andon Zako: Poezi. Tiranë: Naim Frashëri, 1978, f.3

11.ÇAMI, Muin: Shqipëria në rrjedhat e historisë 1912-1924. Tiranë:

Onufri, 2011, f.222

12. Po  aty, f.267

13. Po aty, f.263

14. Po aty, f.264

15. Po aty, f.259: L’Albania e il capitalismo, “Avanti”, Roma, 7 mars         1920.

16. Po aty, f.255

17. GELLNER, Ernest: Nacionalizmi. Tiranë: Botimet IDK, f.87

18. ENCIKLOPEDIA e përgjithshme e  Oksfordit: Tiranë,Instituti i Dialogut  dhe i Komunikimit, 2006, f. 751

19. INSTITUTI i Shkencave: Këngë popullore historike. Tiranë, 1956, f.             315

20. KOKALARI, Mexhit:  Trima të kryengritjeve popullore: Tiranë, 8         Nëntori,1983, f.163

21. TIRTA, Mark: Etnologjia e Shqiptarëve, Tiranë, GEER,2006, f. 163-164

22.ORIGJIN of the Albanians: studim gjenetik i universitetit të Kalifornisë (sipas Suport yahoo)

23.UNIVERSITETI Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit: Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 198-1920. Tiranë, 1970, f.227

24. XHAGOLLI, Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar, Vlorë: Triptik, 2007, f.251

25. Po aty, f. 17

*Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë
Vlorë, ALBANIA
albert_abazi_tr@yahoo.com

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 109

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>